Intervistë nga Altin Gjoni
Së fundmi pata kënaqësinë të intervistoj Eduard Alia – një zë i angazhuar në komunitetin shqiptar në Londër, pasionant i letërsisë dhe një shembull i përkushtimit qytetar. Në këtë rrëfim personal dhe frymëzues, Eduardi ndan reflektime mbi ndikimin e veprës së Ismail Kadaresë në jetën e tij, idenë për të organizuar një “Mbrëmje të Kadaresë” në stilin e “Burns Night” skoceze, si dhe mënyrën si kjo mbrëmje u kthye në një akt konkret bamirësie për qendrën shëndetësore në Fushë-Arrëz.
Eduard Alia mbi dashurinë e tij për letërsinë, Kadare Night dhe Kontributi në Fushë Arrëz
Shkrimtari im i preferuar është Ismail Kadare. Natyrisht, me librat e tij u rritëm – ata ofronin një dritare në botë, një version tjetër të realitetit shqiptar, e shumë histori interesante. Mbi të gjitha, Kadare kishte një mënyrë për të na përkëdhelur pak egon e ndjenjave kombëtare në një kohë kur isha fëmijë në vitet ’90 dhe Shqipëria pak të ngjallte shpresë.
Si i vogël pak i kam kuptuar paralelizmat, por më vonë, duke mësuar më shumë për jetën në diktaturë, gjenialiteti i tij filloi të bënte sens. Jam edhe një fans dhe konsumator i madh i historisë si subjekt, dhe Kadare kishte gjithmonë një aftësi të veçantë për të sjellë në jetë pika të ndryshme në histori, si p.sh. “Ura me Tri Harqe”, e cila fillon me një gjuhë të ngjashme me formulën pagëzore të Gjon Buzukut – një shkrim relativisht kriptik që e kemi mësuar në shkollë, por kontekstin jetësor të autorit të saj është vështirë ta konceptojë një shqiptar i mirëfilltë, sado intelektual.
Por Kadare e sjell në jetë një “Buzuk” klerik, me princërit dhe nobilitetin e periudhës së para-pushtimit osman, për të cilët gjithashtu dimë shumë pak përveç emrave, dhe ndërton bashkë me ta edhe një popull në errësirën fetare e bestytnore, të cilit i kanoset edhe pushtimi nga një forcë edhe më e errët dhe e panjohur, por që ekziston dhe përball hallet e përditshme si njerëzia në çdo kohë.
Të gjitha këto përcillen me një mjeshtëri gjuhe të jashtëzakonshme – gjë që e bën edhe më të ëmbël veprën e tij.
Pas viteve ’90, si adult rashë në botë, mësova gjuhë të huaja dhe lexova edhe vepra të tjera të njohura nëpër botë, por nuk di të kem lexuar nga një mjeshtër më i mirë i formës letrare, të paktën ndër shkrimtarët bashkëkohorë. Unë vetë aspiroj/ëndërroj të shkruaj një ditë, kur të vë mënjanë punën e juridikut. Dhe sa herë bëj shkrime eksperimentale, dashje pa dashje i bëj një kompliment shkrimtarit tonë të madh, ndërkohë që vërej influencën e tij mbi fjalën time të shkruar.
Natyrisht, vdekja e autorit ishte diçka që më preku. Shqipëria humbi një thesar të madh atë ditë.
Një faktor që Kadare ka përcjellë me shkrimet e tij është qëndrestaria (resilience) e shqiptarëve ndër vite, ku shumë evente historike kanë punuar në padrejtësinë e tyre.
Në një kohë tranzicioni ku gjysma e shqiptarëve jetojnë jashtë trojeve amtare, kjo tematikë bëhet më e rëndësishme se kurrë. Dhe këtu lindi ideja për një mbrëmje të Kadaresë – një darkë në të cilën kujtojmë shpirtin luftarak shqiptar, përkëdhelim egot, por edhe mbajmë gjallë një traditë të poezisë, prozës e pse jo edhe të aspekteve të shumëlarmishme të kulturës sonë që nga veshjet, këngët, vallet e gastronomia?!
Lindja e Kadare Night & Donacioni në Fushë Arrëz
Kur ja solla si ide Tomorr Kokonës që të bëjmë një mbrëmje të tipit “Burns Night”, të cilën e festojnë skocezët dhe njerëzit me origjinë nga Skocia nëpër botë, Tomorrit i pëlqeu ideja jashtë mase. Entuziazmi i tij elektrik u shpërnda shumë shpejt me komunitetin e artistëve dhe shumë shpejt përgatitëm një mbrëmje nën drejtimin artistik të Tomorrit.
Mbrëmja qe një sukses i madh, dhe një nga më uniket që ka bërë diaspora në Londër.
Një përvojë pak javë më parë në qendrën spitalore të Fushë-Arrëzit më dha shtytje të ngrejmë fonde për bamirësi. Qendra, mjaft e pastër dhe me një staf që i shërben komunitetit me shumë njerëzillëk përveç profesionalizmit, kishte nevojë për resurse. Në veçanti, më bëri përshtypje dhoma ku trajtohen fëmijët, e cila ishte pikturuar nga disa vullnetarë për të krijuar një ambient ku fëmijët ndihen sa më në shtëpi – një teknikë të cilën edhe mjeku e aplikonte me shumë mjeshtëri ndërkohë që mjekoi vajzën time të vogël.
E kështu, bashkë me partneren vendosëm që të bëjmë një dorë fondesh të vogla për ta bërë edhe më të këndshme këtë dhomë.
Më vonë, doktori na shpjegoi edhe një hall më të madh që kishte. Në luginat përreth Fushë-Arrëzit janë 6 persona që duhet të udhëtojnë 100+ km çdo javë për të bërë hemodializë në Shkodër. Qendra kishte nevojë për një furgon me kushtet e duhura për njerëz të sëmurë dhe me mundësi të kufizuara. Natyrisht, na bëhet shumë qejfi që ishim në gjendje të ndihmojmë qendrën me një pjesë të fondeve të nevojitura për blerjen e furgonit.
Mbrëmja e Kadaresë mblodhi £2045 – atë ditë që vizitova qendrën, i gjithë stafi i klinikës më priti me shumë respekt. Donacioni i hapi rrugë edhe fondeve të tjera nga biznese vendase dhe blerja e furgonit u bë.
Qendra spitalore, bile edhe bashkia e Fushë-Arrëzit falënderuan diasporën shqiptare dhe donatorët me gjithë zemër.
Shpresoj që mbrëmjen e Kadaresë ta bëjmë edhe më të madhe vitin tjetër si dhe që mbrëmja e Kadaresë të bëhet një traditë përvjetore nga shqiptarët kudo në botë – qoftë kjo edhe thjesht një darkë me miq në shtëpi.
Një falënderim të veçantë për Tomorrin dhe stafin e BACA-s, pa të cilët ajo mbrëmje aq e këndshme nuk mund të ishte kthyer në realitet.